HYRJE
Gjatë kohës, njerëzit duke i punuat tokat, por edhe duke ndërtuar objekte të ndryshme kanë gjetur eksponate të llojllojshme, si vegla pune, armë, monedha, si dhe enë të shumta qeramike, që dëshmojnë për jetën dhe kulturën e një populli gjatë historisë.
Duke mos qenë të vetëdijshëm për vlerën e tyre, ato janë hedhur si mbeturina dhe kështu kanë bërë të pamundur kërkimin shkencor të ati populli që ka jetuar, përkatësisht të banorëve të lashtë të Opojës.
Dëshmi të vetme të së kaluarës, të ruajtura nga natyra janë varrezat, që në shikim të parë duken se janë të lashta, që gjenden rreth dy ish-qytezave të lashta të kësaj trevë, në Gostil (që i përket antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme), si dhe Zinovës (qytezë mesjetare).
Varrezat në ish-qytezën e Gostilit janë të tipit të sheshtë ose të dysta, ndërsa në Zinovë kanë qenë të tipit tumular (tuma, mogila, sukëza). Edhe disa toponime flasin mbi lashtësinë e Opojës, si: Opojë, Tumqinë, Gjerman, Gabuleja, Hisari, etj. Vendet e kishave të shumta mesjetare nën fshatin Ulinë (Kosavë), janë rrënojat e qendrës së lashtë kishtare. Nën fshatin Brrut, pranë rrjedhjes se Lumit të Zinovës, janë themelet e kishës së lashtë katolike shqiptare. Në lagjen e Priftajve Blaqit janë gjithashtu, rrënojat e një kishe të lashtë. Një histori më vete është edhe Varri i Madh i Gjermanit, që pret hulumtimin e antropologëve. Po ashtu, për të dhënë interpretimin e drejtë dhe shkencor nga gërmimet arkeologjike të institucioneve të Kosovës, është dashur të mbështetemi në rezultatet e tyre, të cilat mjerisht mungojnë në këtë fushë.
Me zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe të kulturës, vetëdija e opojarëve ka ndryshuar dukshëm, duke u interesuar për të kaluarën e tyre, për kushtet historike e shoqërore, nëpër të cilat kaloi populli i Opojës gjatë shekujve. Po ashtu, edhe historia e trevës së Opojës pak e ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të shkencave historike, por edhe të tjerat. Kështu, në mungesë të fakteve historike për këtë trevë, nuk ka munguar edhe shfaqja e mendimeve të padrejta dhe të paargumentuara rreth disa çështjeve të rëndësishme të historisë dhe të kulturës materiale e shpirtërore të opojarëve. Lidhur me këtë, vlen të përmendet shtrembërimi i një pjeseje të historisë së trevën e Opojës nga Noel Malcolm, i cili në librin e tij “Kosova- një histori e shkurtër, në faqen 205, në mungesë të fakteve dhe argumenteve historike nga ana e historianëve shqiptarë, ai është mbështetur vetëm te autorët sllavë Jastrebov dhe Mihaçeviq, ku në mes tjerash shkruan: “Rasti më i njohur është ai i fisit të Lumës, që gjendet jashtë Kosovës, në jugperëndim”. Këtu të gjitha burimet pajtohen, se fshatrat e Lumes, së pari u konvertuan në islam, e më vonë, kryesisht në shekullin XVIII, kaluan nga sllavishtja në gjuhën shqipe. Një zonë tjetër, ku besohet se ka ngjarë një dukuri e tillë është Opoja, një trevë në jug të Prizrenit”, edhe pse një konstatim i tillë fare nuk qëndron. Libri është në duart e lexuesve dhe kjo do të vlejë deri në momentin kur do të ndriçohen shumë ngjarje të rëndësishme historike për Opojën.
Në shekullin e XIII, në trevat e Opojës do të ngulitën përgjithmonë banorët me origjinë sllave- maqedone, goranët. Edhe pse ekzistojnë shumë mendime mbi origjinën e tyre, si: Bogumil, serbe, maqedon, por nuk mungojnë edhe mendimet se janë shqiptarë. Por sipas të gjitha gjasave ata janë me origjinë sllavo-maqedonase, qoftë gjatë dyndjes së sllavëve , të cilët i sllavizuan edhe bullgarët me prejardhje tartaro-mongole dhe maqedonët, të cilët ishin një popull i lashtë, si një bashkëdyzimë i fiseve ilro-thrakaso-greke, qoftë edhe të prurë si robër lufte nga Bizanti, për t’i shndërruar në ushtar-fshatar, të quajtur si stratiot, me besimin e ortodoksisë bizantine.
KUFIJTË, POZITA DHE MADHËSIA E OPOJËS
Territori i Opojës antike përkon me kufijtë e sotëm të komunës së Dragashit, ngase banorët e Gorës, janë vendosur në trojet e sotme në kohën kur dyndjet sllave kishin marrë fund. Pra, territori i komunës së Dragashit përfshin skajin jugor të Dukagjinit. Territori i saj shtrihet në gjerësinë gjeografike veriore prej 41º 52’ 30” deri 42º 09’ 03” dhe në gjatësinë gjeografike lindore prej 20º 48’ 26”. Konfiguracioni i saj me karakteristikat natyrore që i ka, paraqet një tërësi të diferencuar të gjeografisë së Kosovës. Në pjesën veriperëndimore, veriore dhe verilindore, përmes kodrave të Cylenit ndahet nga territori i Komunës së Prizrenit. Ky kufi fillon diku në bjeshkën e Zhurit, që është pjesë e Koretnikut, rreth malit të Brrutit (që ndan malin e Billueshës), vazhdon skajeve të malit të Zgatarit, të Jeshkovës dhe të Lybeqevës, të malit të Blaçit, që ndan me malin e Lezit dhe në fund skajeve të malit të Zaplluzhës, që ndan më atë të Lezit dhe të Struzhës. Nga pjesa juglindore dhe lindore, përmes majave të larta të Sharrit kufizohet me territorin e Maqedonisë. Nga perëndimi e jugperëndimi, malet Galaiq dhe Koretnik e ndajnë me Shqipërinë. Kufiri me Shqipërinë nuk është natyror nga se nuk shkon majave të maleve, por shpateve të ulëta dhe shpeshherë i pret dhe luginat e lumenjve. [1]
Komuna ka një sipërfaqen prej 434 km ². Prej tyre 30.302 kullosa të larat dhe të ulëta, 5.556 ara, 2.088 livadhe, 4.968 male dhe pyje dhe pjesa tjetër tokë djerrinë .[2]
Territori i komunës së Sharrit (Dragashit) paraqet një tërësi të dalluar gjeografike të Kosovës, dhe fitohet përshtypja se kemi të bëjmë me një territor relativisht të mbyllur në pikëpamje gjeomorfologjike. Largësia nga qendra rajonale e Prizrenit është 37 km, ndërsa nga kryeqendra e Kosovës, Prishtina, është 114 km.[3]
Veprimtaritë ekonomike të kësaj komune janë: blegtoria, bujqësia, zanatet e ndryshme, ku dominojnë ëmbëltoret, gjellëtoret dhe qebaptoret, që janë të njohur pothuajse në tërë territorin e Ballkanit. Po ashtu, kurbeti është një plagë e vjetër, që është trashëguar denbabaden.
Kohëve të fundit, për shkak të pasurisë ujore dhe rrjedhave të shumta të tyre, ndërmarrjet vendëse e ndërkombëtare kanë shfaqur interesin për ngritjen e minihidrocentraleve të tipit “Dikanca”, si dhe ndërtimin e mullinjve të erës për prodhimin e energjisë elektrike.
Hulumtimet hidrologjike në territorin e Opojës janë bërë te Hani i Llapushnikut, fusha e Opojës me rrethinë, përkitazi me zgjidhjen hidroenergjetike të Hidrocentralit të Zhurit. Këto hulumtime janë bërë në vitin 1951 nga “Kosovaprojekti” me disa ndërprerje deri në vitet e tetëdhjeta të shek. XX.[4]
Po ashtu, bjeshkët e pasura me kullosa dhe peizazhe të bukura, kanë resurse të përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë, turizmit rural dhe për ngritjen e qendrave rekreative-sporteve, sidomos të sportit dimëror (skijimit), ngase sipas ekspertëve të këtij sporti, kjo trevë ka terrene të mira sipas standardeve evropiane .
BURIMET ANTIKE PËR SHARRIN SI TERRITOR I DARDANISË
Sipas autorëve antikë, kjo trevë është identifikuar me termin gjeoetnik Iliria e shkretuar, të cilën e përmendin, Polibi dhe Tit Livi. Ata duke folur për udhëtimin e delegatëve të mbretit maqedonas Perseut, për te mbreti ilir Genti, më 196 p/Kr., Polibi në veprën e tij, “Historitë”, shkruan: ”Ata (delegatët) kaluan malin e Skardit (Sharrit) dhe përshkruan krahinën e quajtur “Iliria e shkretuar” (trevë e Opojës). Këtë vend pak më parë e kishin prishur maqedonasit për të penguar dardanët, që të dyndeshin në Iliri ( dhe Maqedoni), ata që ishin me Adeun, pas shumë mundimesh, arritën në Skodra”.[5]
Edhe Tit Livi në veprën e tij “Nga themeli i Romës”, shkruan: “Këta (delegatët) kaluan qafën e malit Skord (Sharr), shkuan përmes krahinave të shkatërruara të Ilirisë...”[6]
Nëse Oaneu, qyteti nga u nisën delegatët, është Tetova, atëherë nuk ka pse të mos josh ky mendim.[7] Pra, krahinat e shkretuara në territorin dardan për në Shkodër janë krahinat e Opojës, edhe pse Nazif Dokle, përmend edhe krahinën e Gorës. Kjo nuk qëndron, ngase territori i Opojës është populluar shumë vonë me këtë popullatë, të cilët, (sot) vetën e quajnë goranë, kurse territorin e tyre Gorë. Kjo hipotezë e Nazif Doklës gjënë mbështetje edhe të dr.Hajrzi Melqit.
Ndërkaq, sipas shënimeve të autorëve antikë, del se kjo trevë ka pasur një rol të jashtëzakonshëm, si nyje e rëndësishme rrugore, që ka lidhur Tetovën (Maqedoninë) me Ilirinë Veriore.
TOPONIMI TUMQINË ME ORIGJINË ILIRE
Në lagjen Tumqinë, ka ekzistuar një tumë e madhe ilire. Gjatë ndërtimeve, një pjesë e saj është rrafshuar, dhe aty janë gjetur eshtra njerëzish. Thuhet, se deri vonë ka pasur “zidina” të shtëpive. Në bazë të tumës në fjalë e ka marrë edhe emrin lagjja”.[8]
Toponimi i një lagjeje të fshatit Zaplugje të Opojës, ka origjinë ilire, që lidhet me tumat (Tumat: Kodër, varre me dhe me gurë, rrallë vetëm me gurë, karakteristikë për varrimin tek ilirët. Në Iliri, këto shfaqen për herë të parë në kohën e bronzit të hershëm. Bëhen karakteristikë në kohën e hekurit të hershëm. Varret e mëvonshme lidhen me adhurimin e tumave si vende të shenjta). Tumë-qina, është një lagje, që banorët e saj të hershëm kishin ngritur shtëpitë e tyre në vendin e quajtur Tumat.
Sipas Halim Shemsidinit, kushëriri i tij, Kurtishi, kur ishte shpërngulur nga fshati në Prizren, i kishte porositur që mos të ndërtojnë shtëpi në vendin e quajtur Tuma, ngase është vend i shenjtë. Duke e rrëfyer historinë e tij të shpërnguljes nga ky fshat, kur ai kishte filluar të ndërtojë shtëpinë në këtë vend, me hapjen e themeleve, kishte gjetur shumë eshtra dhe gjësende me vlerë të madhe historike, si unazë bronzi, por meqë nuk ishin nga ari dhe argjendi ato nuk ishin ruajtur, dhe kështu nga mosdija ishte bërë një krim ndaj trashëgimisë kulturore e historike . Mjeshtrit, të cilët kishin filluar të ndërtonin shtëpinë, gjatë natës, kur ata ishin në gjumë ishin paraqitur fantazmat, dhe kështu nga frika kishin ikur nga ky vend. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe vetë Kurtishi, duke u larguar nga ky fshat. Kështu, në afërsinë e tumave, më vonë ishin ndërtuar shtëpi dhe lagjja e krijuar kishte marr emrin “Tumë-qinë”, toponim, i cili me të drejtë duhet të lidhet me tumën ilire.[9]
ETIMOLIGJIA E TOPONIMIT OPOJË
Pozita gjeografike e Opojës, ka bërë të mundur, që në kohërat më të vjetra të ketë veprimtari të ndryshme kulturore dhe ekonomike. Po ashtu, kushtet natyrore japin bazë për një popullim të lashtë. Mund të përmenden tokat aluvale, të përshtatshme për ujitje dhe jashtë rreziqeve nga vërshimet; pasuria e madhe e kullosave dhe e pyjeve; rrjeti i pasur hidrografik; mbrojta gjeomorfologjike nga erërat; klima e përshtatshme dhe e shëndosh etj., janë disa prej kushteve të favorshme për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme. Pra, kushtet klimatike dhe përbërja pedologjike e tokës, e kanë mundësuar këtë gjë. Kjo d.m.th., se njerëzit në këtë trevë kanë banuar që nga neoliti. Territori i Opojës dhe i Gorës së sotme, është indoevropianizuar nga neoliti në kohën e metalit me ndikimin e kulturës së regjionit puntostepik.[10]
Rreth etimologjisë së toponimit Opojë, ekzistojnë mendime të ndryshme, prej të cilave disa lidhen me ujin dhe fushat, e disa me rrugën që ka kaluar përmes territorit të Opojës në Maqedoni për Ilirinë Veriore dhe anasjelltas.
Sipas Jovan Cvijiqit, “Liqeni i Opojës ka përfshirë pjesë të mëdha të Opojës e të Gorës. Pas shterjes së tij kanë mbetur katër tarraca nga ana e Sharrit dhe e Koretnikut. Ky liqe është i vjetërsisë së deluviumit të vonshëm”.[11] Këtë hipotezë e mbështet edhe Dr. Hajriz Melqi, në librin e tij, ku shkruan: “Emri i Opojës rrjedh nga fjala iliro-shqiptare apl (abr): ap op në kuptim ujë. Ky mendim bëhet i qëndrueshëm edhe nga fakti, se kjo fushëgropë, siç do të shohim më vonë, dikur ka qenë ujë (liqe), që edhe sot është një regjion me rrjet të dendur të rrjedhave lumore.[12] Ndërsa serbet, etimologjinë e toponimit Opojë e kërkojnë mbi bazën serbe. Sipas profesor Vojislava S. Radovanoviqit: Naziv Opolje je oçigledno srpskog preklja. Postanak toga imena je vezan za naselje koja su porogjena oko ploja. Interesantno je ovde pomenuti da se ime Opolje javlja i u Plolskoj, Donja Shlezija. [13] (“Emërtimi Opolje shihet haptas së është më origjinë serbe. Zënafilla e këtij emërtimi është e lidhur me vendbanimet, të cilat kanë qenë rreth fushave”). Pra, duke i bashkuar fjalët oko dhe polje kanë nxjerr emërtimin falsifikuar sllavë Opolje.
Sipas Katiçiqit, hapësira gjeografike e toponimisë dhe e antroponimisë ilire, pothuajse plotësisht i përgjigjet truallit gjuhësor historik të shqiptarëve“[14]. Pra edhe etimologjia e toponimit Opojë, mund të lidhet me ngjarjet e rëndësishme që ka kaluar Iliria në përgjithësi dhe popullata autoktone e saj.
Etimologjia e toponimit Opojë, do të lidhet me rrugët kryesore që lidhnin perëndimin me lindjen, ku territori i Opojës ishte një nyje e pakapërcyeshme në rrugën që e lidhte Shqipërinë përmes territorit të saj me Tetovën e Maqedonisë.
Në të kaluarën, Opoja ishte një vend kryesisht malor, me kushte të përshtatshme për blegtori, pasi bjeshkët dhe shpatet e maleve ishin me kullota të pasura. Pjellshmëria e pamjaftueshme e tokës, ndikoi që bujqësia të ishte më pak e zhvilluar. Pra, për një kohë më të gjatë, banorët e kësaj treve ishin blegtorë të zakonshëm të tipit nomad, ngase lëviznin nga një vend në tjetrin, duke kërkuar kullosa më të mira. Gjatë dimrit, ata zbrisnin në fushëgropa për t’u mbrojtur nga të ftohtit e dimrave të gjatë, që mbretërojnë në këtë anë. Blegtorët për t’u mbrojtur nga egërsirat e shumta, kishin kultivuar me kujdes racën e pastër të qenin ilir të Sharrit.
OPOJA, NYJA KRYESORE E RRUGËS MES SHQIPËRISË VERIORE DHE MAQEDONISË
Popullata e kësaj trevë jetojnë në bjeshkë, duke u marrë me blegtori. Me kalimin e rrugës për në Tetovë, kjo popullatë do të merret edhe me zeje tjera, që do t’i sjellin përfitime materiale.
Gjatë shekujve të parë të epokës sonë, Roma ngriti në Iliri një tok qytetesh të reja, municipiume dhe koloni. Këto qytete lidheshin me njëri – tjetrin me një rrjet të gjerë rrugësh. Dihet se rruga kryesore dhe më e rëndësishme e Ilirisë së jugut ka qenë Via Egnatia, e cila përshkonte një pjesë të madhe të Gadishullit Ilirik (Ballkanik), por, për çështjen që po e trajtojmë, është me rëndësi të vihet në dukje rruga tjetër, që lidhte Dyrrahun (Durrësin) me krahinat veriore të Ilirisë, duke kaluar nëpër Pikaria (Pukë), kapërcente Drinin dhe dilte në Dardani, ku bashkohej me rrugët e mëdha që lidhnin provincat e tjera të Gadishullit Ilirik (Ballkanik).[15]
Treva e Opojës së sotme është bërë nyja kryesore e lidhjeve tregtare në mes të Maqedonisë përmes kësaj rruge, e cila ka kaluar nëpër Novosej të Shqipërisë, Krushe (fshat i sotëm i Gorës), Dragash ( qendra e sotme administrative e komunës), Gostil e Tetovë të Maqedonisë. . Për tregtarët me karvane kuajsh, kjo rrugë funksionon edhe sot e kësaj ditë. Për të lehtësuar udhëtimin nëpër këto rrugë, u ngritën stacione të posaçme për bujtje, Monsio dhe për shkëmbime kuajsh Mutatio. Disa nga këto stacioni arritën dalëngadalë të shndërroheshin në qendra të mëdha dhe të merrnin fizionominë e qyteteve të vërteta.[16] Kështu në trevën e Opojës së sotme, përpos vendbanimeve që ishin vendosur mbi kullota të mira, kushtet gjeografike luajtën rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e shoqëror të kësaj treve, duke u bërë një punkt i rëndësishëm kalimi nga Pikaria (Puka) e Dardania për Maqedoni.
NGRITJE E NJË QENDREJE URBANE
Sipas gojëdhënave të ruajtura brez pas brezi, në fund të shekullit IV të epokës sonë, disa familje blegtorësh të një gjaku, ngritën një stacione për bujtje dhe për shkëmbimin e kuajve për tregtarët e Ilirisë Verilindore që tregtonin në Maqedoninë. Këtij stacioni i vunë emrat e vendit ku u ndërtohej ai. Gostil (është një toponim në veri të Liqenit të Shkodrës, që nga shekulli III – II para epokës sonë.[17] Po ashtu, edhe sot në prefekturën e Kukësit është komuna e Gostilit. Me kalimin e kohës, ky stacion u bënë qendër ekonomike e përparuar, pasi në këtë stacion zbritën edhe shumë familje të tjera blegtorësh e bujqish, që filluan që të merren me tregti dhe zanate të ndryshme. Rreth shekullit V të epokës sonë , Gostili së bashku me periferinë e afërt blegtorale e bujqësore, formuan në atë kohë një qytet – shtete të vogla, me disa qindra banorë. Emërtimi i këtyre qyteteve në kohë të vjetra, veçanërisht në kohën e depërtimit të helenizimit në Ballkan, bëhej duke ia shtuar emrit të themeluesit leksemën: polis.
EMËRTIMI SIPAS LEKSEMËS O-POLIS, O-POL DHE O-POJË
Emrat e disa qyteteve janë formime të përbëra, duke u zgjeruar me mbaresën –o nga një antroponim dhe nga leksema –polis (–pol): Konstantin–o-polis, (Konstantin–o–pol), për Stambollin; Adrian–o–polis, (Adrian–o-pol) për Edrenën; Alban–o–polis, (Alban–o–pol) për Zgerdheshin e Krujës; Adrian–o–polis, (Adrian–o–pol) për Nëprevishat e Gjirokastrës etj.
Si duket tek ilirët dhe albrët, leksema polis, pol, do të jetë e një formeje origjinale ilire o–pojë: Konstantinopojë, Adrianopojë, Albanopojë, etj., që i është bashkëngjitur një antroponimi Konstantin, Adrian, Alban etj. Pra, kemi Konstantin- + -o- + -pojë = Konstantinopojë-a dhe kështu me radhë.
Kështu tregtarët e Ilirisë Verilindore, këtë stacion që kishte marrë pamjen e qytetit e quajtën Gostil-o-pojë. Banorët e kësaj treve, që i kishin ngritur fshatrat e tyre rreth e qark, i quanin shkurt Opojë, duke përdorur vetëm kuptimin “qytet”. Edhe sot, banorët e fshatrave Brezne, Buqe e Pllavë, thonë: “Isha në Opojë”,”Po shkojë në Opojë”, “Ata të Opojës” etj., edhe pse këto fshatra janë opojare. Kjo traditë do të vazhdojë edhe gjatë sundimit turk e gjerë më sot, ngase për qytetin e Prizrenit thuhet: Sheher, që në gjuhën turke do të thotë “qytet”. Pra, të gjithë banorët e lokaliteteve opojare nuk e përdorin emrin Prizren, por Sheher, si: “Sot isha në Sheher...”, Të mërkurën është ditë tregu në “Sheher”, etj. Një gjë e tillë është karakteristikë kosovare, fshatarët nuk e përmendin emrin e qytetit por vetëm “shehrin” (“qytetin”).[18]
Me gjasë, në këtë qytetin Gostil ra murtaja. Të frikësuar se do të përhapej edhe në fshatrat përreth, banorët e vet qytetit i vunë zjarrin, duke e rrafshuar me tokën. Kështu, nga gërmadhat e Gostilit, mbeti vetëm toponimi Opojë. Gërmadhat e këtij qytet kanë ekzistuar deri në shek. XX. Këto gërmadha, deri më sot, askush nuk i ka hulumtuar, dhe kështu po humbin ato, pos varrezave që i ka ruajtur natyra, të cilat duhet hulumtuar në mënyrë shkencore.
Banorët që i shpejtuan kësaj sëmundjeje u vendosën në fshatin e sotëm Bellobrad, të cilit fshat pas lufte, Komisioni për Standardizimin e Emërtimeve të Vendbanimeve të Kosovës, e standardizoi me emrin e vjetër ilir, Gostil[19], ngase vendi i qytezës së vjetër të Gostilit ndodhet në territorin e këtij fshati. Emërtimi i Opojës është ruajtur i pandryshuar deri më sot.
BASTARDIMI I TOPONIMEVE ILIRO-ARBËRORE NGA OKUPATORËT
Toponimi antik Opojë, është bastarduar nga serbo-sllavet, me qëllim që t’i tregohet botës, se këtu kanë jetuar sllavët e jo shqiptarët autoktonë.
Emërtimi Opojë i sllavizuar si Opolje, si krahinë përmendet në burimet mesjetare serbe, në kohën e mbretit Stefan Deçanskit, që kishte sunduar në Kosovë.
Pod ovim nazivima Gora i Opolje se pominju kao zhupe u srednjem veku. Kralj Stafan Deçanski, dajyqi Zapluzhje i Postomullqe (Rence) Bogorodcinom manastiru u Prizrenu, kazhe da ih pripala Opolju, koje je u celini pripadalo vlastelinstvu Pizrenske episkopoije.[20] ( Me këto emërtime Gora dhe Opolja permenden si Zhupani në shekullin e mesëm. Mbreti Stefan Deçanski, duke ia dhuruar Zapluxhen dhe Postomullqën ( Rrencin) Manastirit të Shënmerisë në Prizren, thuhet se i takoni Opojës, e cila në tërësi i ka takuar pronës (çifligut) së Peshkopatës së Prizrenit).
Sipas një gojëdhëne, që është ruajtur brez pas brez në këtë krahinë, gjatë sundimit të Stefan Dushanit ( 1333 – 1355), qendrat kryesore të Perandorisë qenë Prizreni dhe Shkupi. Edhe pse feudalet serb i kishin përforcuar pozitat e tyre si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë,[21] në Opojë, popullata e kësaj trevë i bëri ballë presionit të tyre duke mos iu bindur “Zakonikut”, të Stafan Dushanit, dhe mu në këtë kohë u bë edhe zëvendësimi i toponimeve autoktone ilire e arbërore me ato surrogate serbo-sllave. Lidhur me këtë ekziston një histori: kur qyteti i Zinovës, nga përhapja e murtajës digjet nga zjarri dhe bëhet shkrumb e hi, Dushani doli personalisht dhe kur pa se Opoja ishte shndërruar në një fushë, i ngazëllyer bërtiti : “O, polje (O, fusha) ! Kështu lindi toponimi sllav , “Opolje” . Si rrjedhim, kur vendet ballkanike ranë nën sundimin turk dhe u bë ndarja administrative, Opoja u quajt sipas toponimit sllav “Opolje”, çka konstatohet e shkruar edhe në librin e Selami Pulahës : “Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV – XVI. (Tiranë, 1984).
ZINOVA, QENDRA E DYTË URBANE E OPOJËS
Pas shkatërrimit të qytetit Gostil, banorët e këtyre anëve, në mesjetë ngritën qytezën tjetër që e emërtuan Zinovë. Tani këtu u ngritën bujtina, ku natën kalonin tregtarët dhe ushtarët që udhëtoni nga lindja në perëndim dhe anasjelltas. Po ashtu, ishte edhe stalla për këmbimin e kuajve. Gjeografi i njohur prizrenas Esat Haskuka për qytetin e Zinovës, mendon se ishte i kohës së vjetër: ”Në kohë dhe rrethana të ngjashme janë gjasat që të jetë ngritur edhe “Zinova” për të cilën me siguri përveç rrugës Lissus-Naissus, rol me rëndësi ka luajtur edhe rruga tjetër Oaeneum – Scodra – Lissus ( Tetovë – Shkodër – Lezhë). Kjo rrugë kalonte nëpër malin e Sharrit, dhe mendohet se është ndërtuar në shekullin e dytë para erës sonë.[22] Sipas drejtorit të Arkivit të Kosovës, dr. Jusuf Osaminit, i cili shkruan: “Padyshim, vendbanimi më i lashtë dhe i ruajtur në këtë trevë është Zinova. Ky qytet shqiptar është i lashtë, shtrihej në qendër të rrafshit të Opojës, në derdhje të lumit të Tenovës dhe në atë të Zinovës. Në popull flitet, se këtë qytet e ka faruar mortaja. Kështu që fare pak dihet për banorët e Zinovës. Në bazë të regjistrimeve kadastrave osmane thuhet se me lëshuarjen e Zinovës dhe ikjen e banorëve të saj u formuan tri fshatra të reja në Opojë: Bresana, Kuklibegu dhe Kuki”.[23] Këtë mendim e ndanë edhe Enver Batiu , historian opojar, i cili për qytetin e Zinovës, ka këtë mendim: “Qyteti i Zinoves shtrihet në qendër të rrafshit të Opojes, në derdhje të lumthit Tenovë në atë të Zinovës, pranë sukave të Kunoqarit, në territorin që edhe sot mban emrin Zinovë. Për madhësinë, gjendjen ekonomike dhe rolin e këtij qyteti nuk mund të flasim, së paku gjerë me tani, pasi në vendshtrirjen e këtij qyteti nuk është bëre asnjë gërmim arkeologjik. Dy tumat e Zinoves, ajo në anë jugore të qytetit, e njohur si Tuma e Mejdanit dhe ajo në anën verilindore të tij, edhe sot qëndrojnë të paprekura nga dora e arkeologut. Në popull thuhet, se këtë qytet e ka farua murtaja”.[24] Po ashtu, fare pak dimë dhe për banoret e Zinoves. Në baze të regjistrimeve kadastrave osmane, vërehet se me shuarjen e Zinoves dhe ikjen e banorëve, prej saj formohen tri fshatra të reja në Opoje: Bresana, Kuklibegu dhe Kuki. Edhe përkundër këtyre fakteve, Zinova është qytet mesjetar, që është formuar pas shuarje së Gostilit, si qytet dhe qendër e rëndësishme.
PAGANIZMI, KRISHTERIMI DHE ISLAMIZMI NË OPOJË
Feja ka luajtur një rol të dorës së parë në mbijetesën e kombit shqiptar, në po atë shkallë si për disa popuj të tjerë të lashtë si armenët dhe hebrenjtë. Ishte krishterimi ai që i dha një identitet më të fortë popullit shqiptar në kohën e dyndjeve barbare dhe osmane, duke u kthyer në një vend të shenjtë në kohën e Skënderbeut, pasi e mbrojti krishtërimin në shek. XV, kur papa dhe patriku kacafyteshin. Ishte feja islame dhe bektashizmi, që i diferencoi shqiptarët kur politika sllavizuese dhe helenizuese e fqinjëve synonin asimilimin dhe përfitimin e territoreve shqiptare. Flaka morale e përbashkët për klerin shqiptar të të gjitha besimeve, ishte ajo e një zelli apostolik të lashtë të gërshetuar me një ndjenjë patriotike të zjarrtë.
Gjurmët e besimeve të lashta në trevën e Opojës, nuk janë të pakta, të cilat më vonë do t’i marrin edhe banorët e Gorës. Por, meqë mbi shtresat e religjionit popullor u rivendosën shtresat e religjionit të krishterë e islamik, edhe në këto dy krahinëza etnografike,[25] mundësia për dallimin e relikteve të besimit pagan e totemik ishte vështirësuar.[26] Është e njohur, se kisha deshi t’i zhdukë ato besime pagane e totemike në gjithë hapësirën, ku kishte pretendime të ngulitjes së krishtërizmit.[27] Megjithatë, disa nga to janë ruajtur me xhelozi deri në ditët tona, të cilat manifestohen në mënyrë madhështore, qoftë në jetën e përditshme, qoftë në kremtet kalendarike.
Këto relikte, pasojnë që nga periudha politike e besimeve ilire, të cilat kishin arritur të krijojnë kulte të shumta hetonike, heliolaterike, hyjni vegjetativo-plleshmërie dhe një hierarki të panteonit të vet.[28] Besimet popullore në këto treva, janë për ujin si element i domosdoshëm për jetën dhe për zjarrin, që është një dukuri për shumë popuj të botës.
Sipas D’Angely, prej vitit 534 deri 562, Iliria përjetoi pushtimet e sllavëve, bullgarëve dhe hunëve, që atëherë, pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë më 395, i takon ritit bizantin.
Përhapja e besimit të krishterë është e vonë, ngase popullata opojare nuk hiqte dorë nga besimi pagan, si gjithë popujt e prapambetur, që besonin në fenomenet e ndryshme natyrore. Sipas gjurmëve të kishave, në tërë territorin e Opojës, shihet qartë se krishterimi edhe në këtë trevë kishte depërtuar. Këtë e dëshmojnë kishat e shumta mesjetare, si në fshatin Ulinë (Kosavë), ku janë rrënojat e qendrës së lashtë kishtare. Nën fshatin Brrut, pranë rrjedhjes se Lumit të Zinovës, janë themelet e kishës së lashtë katolike shqiptare. Në lagjen e Priftajve të fshatit Blaq, janë gjithashtu rrënojat e një kishe të lashtë, ku besohet se edhe Pjetrër Bogadani e ka pasur zyrën në kishën e fshatit Blaq. Po ashtu, edhe një lagje sot në këtë fshat quhet mëhalla e “priftajve”, e cila më së mirë e dëshmon, krishterimin në këto anë. Por, popullata autoktone nuk hiqte dorë nga besimet pagane. Kjo shihet edhe në dhuratën e mbreti Stefan Deçanski, i cili ia dhuruar Zapluxhen dhe Postomullqën ( Rrencin) Manastirit të Shënmerisë në Prizren, thuhet se i takoni Opojës, e cila në tërësi i ka takuar pronës (çifligut) së Peshkopatës së Prizrenit).
Misioni i parë për përhapjen e islamizmit kishte nisur me ardhjen e Sari Salltëkut, ndër bizantinët, bullgarët, hungarezët dhe në trojet ilire-shqiptare në shekujt XIII e XIV, ka një rol të rëndësishëm, ngase shtetet evro-ballkanike ndërmorën të gjitha masat për çrrënjosjen e pikëpamjeve heretike.[29]
Nga Buhara nëpër Anadoll, pas vitit 1241 Sari Salltëku dhe ithtarët e tij të shumtë vendosen në Dobruxhë të Bullgarisë/Rumanisë, atëbotë territor bizantin.[30] Prej Dobruxhës, Sari Salltëku dhe ithtarët e tij lëvizën në drejtime të ndryshme. Gjurmët materiale, toponimia dhe legjendat e shumta dëftojnë, se ai ishte në misione fetare e ushtarake në Panoni, Hungari, Çeki, Sllovaki, Shkup, Srem, Maçvë, Bosnje, Krujë, Durrës, Opojë, etj.[31]
Por, në Opojë nuk arritën, sepse ai erdhi vonë në shekujt XV-XVI, e cila gjë shihet qartë në librin e Selami Pulahës: “Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV – XVI, ku të gjitha shtëpitë tagradhënëse të Opojës, ishin shqiptarë të krishterë. Pra, islamizimi i vërtetë në Opojë, bëhet vetëm pas shek. XVI.[32]
Kur Shqipëria dhe trojet shqiptare ranë nën sundimin turk, (të cilët me anën e islamizimit), turqit synonin ta siguronin qetësinë e garnizoneve ushtarake dhe të bënin përçarje fetare ndër shqiptarë.[33]
Në fushatën e islamizimit, turqit përfituan nga tronditja që kishin pësuar kishat e të dy riteve të krishtera në Shqipëri në shek. XVI-XVII. [34]
Sipas regjistrave kadastrave osmane të sanxhakut të Dukagjinit të viteve 1571[35] dhe 1591[36], Opoja bënte pjesë në këtë sanxhak, duke formuar një njësi administrative territoriale më vete-nahije, krahas nahijeve tjera si ato të Zadrimës, të Rrogamit, të Dibrit, të Spasit, të Pukës, të Fandit të Madh, të Fandit të vogël, të Iballës, të Mirëditës, Të Rudinës, të Domeshtiçit, të Pashtrikut, të Lumës, të Gorës dhe të Dibrës[37]. Sipas këtyre del së në Opojë, sistemi i timarit kishte gjetur zbatim më të thellë së në nahijet tjera feudale.[38] Depërtimi dhe vendosja e spahinjve në fshatrat e nahijes së Opojës kishte qenë më i madh se në zonat të cilat gjatë shek.XVI ishin dhënë në zotërime si hase. Sipas regjistrimeve dele se në vitin 1571 në 23 fshatrat të nahijes së Opoljes ekzistonin 18 timare, kurse në vitin 1591- 13 timare.[39] Siç dëshmohet prej këtyre, shumica e popullsisë së Opoljes më 1571 ishte islamizuar dhe si rrjedhim antroponimia e saj i përket sferës së antroponimisë islamike. Tashëm ajo numëronte 64familje dhe 14 beqarë të orishtër, 233 familje myslimane me tokë (çift), 61 të martuar pa tokë (bennak) dhe 75 beqarë myslimanë.[40] Nga të gjitha këto del se kjo fushat islamizuese që e kishte përfshi Opojën, edhe përkundër rezistencës së gjatë të kësaj popullate, por presioni fiskal turk, e bëri të vetën, duke i detyruar opojarët që ta pranoni besimin e ri, ku vetëm ¼ e popullsisë i kishte bërë ball islamizimit dhe kishin ngelur të Krishterë, por në shekujt që pasojnë e tërë Opoja me popullatë të pastër shqiptare, bëhet me besim islam.
TOPONIMI GJERMAN DHE VARRI I MADH I GJERMANIT
Që nga mesjeta, nëpër Opojë qarkullojnë tregime e legjenda fantastike për varrin e madh dhe toponimin “gjerman”, që gjendet në fshatin Zgatar , fshatin më të vjetër opojar.
Një toponim (gjerman) dhe një objekt sakral (varri i madh), që mund të lidhet me ngjarjen më të rëndësishme të Ballkanit dhe të Evropës, që është nga viti 1689, kur forcat osmane ishin angazhuar në luftime me ushtrinë austriake, e cila marshonte me shpejtësi drejt jugut përmes Serbisë. Populli shqiptar i rrafshit të Dukagjinit dhe ai i Fushës së Kosovës ishte ngritur në kryengritje të përgjithshme. Pikolomini, më 25 tetor 1689, nëpër Kaçanik arrin në Shkup, që e detyrojë ushtrinë osmane të tërhiqet në perëndim të qytetit, sepse Shkupin e kishte kapluar epidemia e murtajës. Më 26 tetor 1689, Pikolomini e zmbrapsi ushtrinë osmane të Shkupit dhe kështu e detyroi t’i dorëzohet forcave ushtarake austriake. Mirëpo, epidemia e murtajës e cila e kishte kapluar qytetin, e shtyri gjeneral Pikolominin të japë urdhër që të digjet Shkupi. Nga gërmadhat e Shkupi të djegur ose më mirë më thënë i bërë hi e pluhur, gjenerali i famshëm austriak vazhdoi rrugëtimin për në Kosovë, duke kaluar nëpër Drenicë, Klinë, Pejë e në Prizren . Kur forcat austriake hyn në Prishtinë në fillim të nëntorit 1689, ata u pritën nga 5000 luftëtarë shqiptarë, kurse në Prizren nga 6000 luftëtarë të tjerë. Numri i kryengritësve shqiptarë arriti deri në 20 000 veta. Në saje të kryengritësve shqiptarë forcat austriake mundën të thyenin mbrojtjen osmane dhe të arrinin deri në Lumë. Vlen të thuhet, se kryengritësve shqiptarë u printe Pjetër Bogadani, arkipeshkvi i Shkupit e i Prizrenit, që ishte njëri nga personalitet më të shquara të kulturës e të lëvizjes shqiptare të atij shekulli. P. Bogdani mori pjesë si përfaqësues i shqiptarëve edhe në bisedimet që u zhvilluan në Prizren me komandantin e forcave ushtarake austriake, gjeneralin Pikolomin. Ndihmesën e shqiptarëve në luftën për çlirimin e trojeve tona nga sundimi osman e vlerësojë edhe perandori austriak, Leopoldi I, i cili në një manifestin drejtuar popujve të Ballkanit për këtë qëllim, Shqipërinë e rreshtonte të parën ndër vendet ballkanike falë këtij kontributi luftarak. Pikolomini, ishte tejet i kënaqur me numrin e shqiptarëve që ishin rreshtuar përkrah tyre. Mirëpo, gëzimi i tij nuk zgjati shumë, sepse epidemia e murtajës që e kishte përfshirë Shkupin nuk e kishte kursyer as gjeneral Pikolominin, kështu gjenerali i njohur austriak vdes më 9 nëntor 1689, ku sipas Prof. dr. Skender Rizës, ai ishte varrosur në një kishë të vjetër të Prizrenit, por nuk tregon saktë, se në cilën kishë. Gjatë bisedimeve me gjeneralin e njohur austriak edhe Pjetër Bogadani ishte infektuar nga epidemia e murtajës, i cili vdes me 8 dhjetor 1689, ku sipas versionit të prof. Rizës ai varroset në Prizren. [41]
Banorët e fshatit Zgatar, e ruajnë të freskët rrëfimin që është përcjell brez pas brezi, se ushtria e gjermanëve e kishte çliruar këtë trevë nga zullumi i madh i turqve osmanli, dhe nga atëherë ky vend për nder të çlirimtarëve është quajtur “gjerman”, kurse varri i oficerit, quhet “Varri i Madh”, dhe këtu banorët kërkonin ndihmë për hallet dhe brengat e tyre.[42]
Nisur nga këto fakte, toponimi “gjerman” dhe objekti sakral “Varri i madh i gjermanit”, i cili edhe dallohet nga të gjithë varret e tjerë, lirisht mund të lidhet pikërisht me këtë ngjarje të madhe dhe shumë të rëndësishme për fatin e popujve të Ballkanit e në radhë të parë të shqiptarëve. “Gjermani” si emërtim kishte mbetur pas betejës austriake-osmane, ngase ushtria austriake zmbrapsi ushtrinë osmane, e cila deri në atë kohë mendohej se ishte e pathyeshme. Atëbotë ishte zhvilluar beteja pikërisht në vendin që edhe tash ruhet ky emërtuar “gjerman” afër katundit Zgatar të Opojës, që atëbotë i përkiste Rrethit të Lumës, kurse gjenerali i famshëm austriak Pikolomin kishte vdekur nga epidemia e murtajës, por nuk ishte varrosur në Prizren nga frika se mos përhapej epidemia e murtajës edhe tek ushtarët e tjerë. Kështu Varri i gjeneralit për t’u dalluar nga të tjerët ishte shumë më i madh dhe i rregulluar me gurë të latuar mirë dhe të sjellë nga viset e tjera të Kosovës, sepse gurë të tillë në tërë komunën e Dragashit nuk ka, andaj s’do mend se kemi të bëjmë veç me këtë varr të këtij ushtaraku austriak, që opojanët ende atë vend e quajnë Gjermani, ndërsa varrin e quajnë Varri i madh. Kështu pas kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme për atë kohë. Banorët e kësaj ane, meqë nuk kanë pasur shërbim adekuat mjekësor siç janë aktualisht, me vite e shekuj kanë besuar se Varri i Madh do t’ua shërojë fëmijët, të afërmit e sëmurë ose edhe kanë qenë të bindur, se ai Varr do t’iu ndihmojë në zgjedhjen e problemeve të ndryshme, ashtu si u kishte ndihmuar për t’i dëbuar forcat ushtarake osmane nga këto troje, andaj në këso raste ata i janë lutur e i janë përkulur këtij Varri, duke lënë monedha e duke ndezur qirinj. Madje edhe tash rituali i tillë vazhdon të zbatohet në këtë Varr nga popullata opojane e më gjerë, varësisht nga lidhjet familjare e farefisnore, që i kanë banorët e kësaj ane me banorët përreth a më larg, madje edhe nga diaspora shqiptare kur kthehen gjatë muajve të verës, shkojnë dhe e vizitojnë atë Varr dhe lënë para në atë vend më të shenjtë për opojarët.
POZITA GJEOGRAFIKE E GORËS
Gora është njëra prej krahinave gjeografike dhe etnografike të Kosovës. Ajo zë skajin jugor të Kosovës, e cila me një pjesë të territorit vazhdon përtej kufirit në Shqipëri. Kjo është një krahinë malore e malit Sharr, që shtrihet midis Kaçina Gllavës në lindje, Gemitashit në jug, Kallabakut në jugperëndim, Gjallicës në perëndim, Koritnikut në veriperëndim dhe të kodrave të Xerxës në veri.
Kjo krahinë, nga lindja dhe verilindja kufizohet me Opojën, nga jugperëndimi, perëndimi dhe veriperëndimi me Lumën dhe nga juglindje me Maqedoninë. Si krahinë e lartë dhe e thellë malore edhe më tutje mbetet larg rrugëve kryesore. Krahina e Gorës me krahinën fqinjë të Lumës lidhet me rrugë jo cilësore që shkojnë nëpër grykën e Vanave dhe kanionit të Shkallës së Keqe. Me Maqedoninë lidhet nëpërmjet të disa qafave malore të Sharrit. Lidhjen me Dibrën e lidh Gryka e Qajës. Lidhjen më të mirë nëpër Opojë e ka me Prizrenin. Rreth sipërfaqes së përgjithshme të Gorës nuk ka shënime të sakta. Vetëm pjesa e Gorës që ndodhet në Kosovë ka sipërfaqen 308 km2. Gora së bashku me Opojën e bëjnë komunën e Sharrit. Gora në kuadër të sipërfaqes së komunës së Sharrit (434 km2) merr pjesë me 71 %.[43]
GORË NGA SHEKULLI I XIV
Që nga viti 1348, Gora paraqitet për herë të parë në dokumentet e shkruara, e cila deri më sot ka mbetur i pandryshuar.[44]
Nga shumë burime të shkruara, shihet se krahina e Gorës në vitet 1429-1438 ishte pjesë e Sanxhakut të Dukagjinit. Gjatë sundimit osman, territori i Gorës dhe i Opojës është quajtur edhe “Hasllër”, “Gora ve Havasi Prizren”, ”Havasi Prizren” etj., të gjitha këto me domethënie, Has i Prizrenit (territor i Prizrenit). Historikisht, Gora ka qenë e varur nga Prizreni dhe lidhjet më tepër janë mbajtur me të dhe më pak me Tetovën. Në anën tjetër, Kukësi deri vonë ishte lokalitet i vogël rural, pa ndonjë ndikim për këtë hapësirë.
Si u krijua ishull (enklavë) sllav (e) brenda “detit” etnik shqiptar, apo, cila është etnogjeneza e kësaj popullsie, përkundër përpjekjeve të shumta, që deri më tani nuk i është dhënë një përgjigjeje e plotë shkencore.[45]
Mund të përmblidhen me anë të dy versioneve, njëri që lidhet me shpërnguljen e maqedonëve të sllavizuar, ndërkaq tjetri po ashtu lidhet me maqedonët të prurë si stratiot (ishtar-fshatar) për mbrojtjen e kufijve të perandorisë.
ORIGJINA E GORANËVE DHE ETIMOLOGJIA E TOPONIMIT GORË
Origjina e popullatës gorane është shikuar në mënyra të ndryshme, prandaj edhe ekzistojnë shumë mendime. Nazif Dokle, një goran nga Shqipëria ka shfaqur mendimin se etimologjia e goranëve është sllave, maqedone, bogumile, etj. Dr. Xhevat Hasani, duke cituar vargjet e rilindësit tonë të madh Ndre Mjedjes:
“Molla t’kputuna nji deget
Dy qershi lidhën n’nji rrfanë!
Duke i cituar këto vargje, dr.Hasani në artikullin e tij “Opojan e goran “si dy qershi lidhën m’nji rrfanë”, mendon se goranët kanë origjinë shqiptare.[46] Ndërkaq, pjesa më e madhe e popullatës gorane mendojnë se janë boshnjak. Origjinë shqiptare kanë goranët,[47] është mendimi edhe i poetit dhe hulmtuesit opojan Bedri Halimit
Selami Pulaha ka ardhur në këtë përfundim: “ Mbizotërimi i një antroponimie të pastër sllave, mospërhapja e procesit të myslimanizmit, të gjendurit brenda një ambienti kompakt me antroponimi shqipe na bind se në Gorë kemi të bëjmë krejtësisht me një enklavë me popullsi sllave brenda një ambienti me popullsi shqiptare.”[48]
Ekziston edhe një hipotezë të cilën e përkrahët edhe nga historiani i njohur opojar Mr. Fejzullah Trinjaku, e që lidhet me Lëvizjen Bogumile. Kjo lëvizje u krijua gjatë viteve 1018-1118, e përcjell me migrime të mëdha të popujve në drejtime të ndryshme.[49] Përkrahësit e bogumilëve njihen me emrat të ndryshme: babunë, patarin, katarë, albigjezë.[50] Nazif Dokle, heretikët – Bogumilët në Ballkan i ka quajtur edhe si “Torbesh” (lyps), me të cilin emër u quajtën me përbuzje nga kisha ortodokse.
Edhe Dhimitër Shuteriqi, këtë emër e lidh si një fjalë mallkimi të kishës ortodokse për heretikët bogomilë të shekullit XII, të përndjekur nga Bullgaria, ku një pjesë e tyre arrin të strehohet edhe në Gorë dhe në pjesët tjera, ku sot jetojnë torbeshët. Versioni që e lidh këtë emër me lëvizjen bogomile dukët më i besueshëm. Këtë mendim e forcojnë edhe shumë argumente tjera si gjuha, e cila është shumë më e përafërt me atë bullgare-maqedonase, theksi i gjuhës, melodia e këngëve etj. Për ekzistimin e bogumileve në Gorë dëshmojnë edhe disa toponime si: Babaun dhe Kudoxhed, në zonën e Shishatvecit.[51]Dhe si rezultat i gjithë kësaj Nazif Dokle del me konstatimin se: goranët janë një etnitet autokton që janë sllavizuar me dhunë, ose si rezultat i maqedonizimit të dhunshëm në kohën e Samuilit (998-1018).[52]
Për emërtimin etnonimin “Torbesh”, ekzistojnë dy versione: Sipas versionit të parë, torbesh, lidhet me dort-besh , që nga turqishtja ka domethënie katër- pesë, pra, gjatë përhapjes së islamizmit në këtë anë, nga katër – pesë veta kaloni nga krishterimi në islam.[53] Ndërsa sipas versionit të dytë: goranët nga katër-pesë herë premtonin se do të pranonin fenë islame, po kaq herë nuk e mbanin fjalën.[54]
Po të shikohen mirë e mirë gjuha dhe kultura gorane dhe po të konsultohet historia e popullit shqiptar dhe dyndja e popujve sllavë edhe origjina e kësaj popullate, duhet të lidhet me ngjarjet dhe rrethanat në të cilën kaloi Iliria. Dyndjet sllave kishin marrë fund në shekullin XII. Në përfundim të këtyre dyndjeve, përveç tjerash përbërja etnike e Gadishullit Ilirik (Ballkanik) pësoi ndryshime të mëdha.
Në përfundim të dyndjeve sllave , vendbanimet e ilirëve u ngushtuan për së tepërmi, sidomos në pjesën perëndimore të Gadishullit Ilirik (Ballkanik). Në një mori krahinash të Ilirisë së atëhershme, sidomos në viset aktuale të Sllovenisë, Kroacisë, Dalmacisë, Bosnjës, Serbisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, popullsia ilire vazhdoi të asimilohej nga banorët e rinj sllavë dhe kjo gjendje dalëngadalë i zhbëri apo edhe i zhduki tërësisht.
Në krahinat e Ilirisë jugore, në malësitë e sotme të Shqipërisë, Kosovës dhe të disa krahinave të Malit të Zi, kjo popullsi i qëndroi kolonizimit sllav. Në fusha dhe lugina, pranë popullsisë ilire, banonin tashmë masa të konsiderueshme të popullsisë sllave (12). Kjo simbiozë shqiptare-sllave vazhdoi për disa shekuj me radhë. “Marrëdhëniet ekonomike e shoqërore që u zhvilluan midis tyre ndikuan reciprokisht, te njëri – tjetri në fushën e kulturës materiale. Sllavët kishin bujqësi më të përparuar andaj u dhanë ilirëve mjaft nga elementet e kulturës së tyre bujqësore. Dëshmi për këtë ndikim janë fjalët sllave të fushës bujqësore që kanë hyrë gjatë këtyre shekujve në gjuhën shqipe, në anën tjetër ilirët me një blegtori të zhvilluar dhe më të pasur u dhanë sllavëve në një masë të kufizuar, elemente nga kultura e tyre blegtorale. Këtë e provojnë fjalët shqipe të sferës blegtorale, që kanë hyrë në sllavishten e jugut. Gjatë kësaj simbioze, të dy palët ndikuan gjithashtu të njeri – tjetri edhe në fushën e kulturës shoqërore (13)”.
Gjatë shtegtimeve të shqiptarëve nga viset malore në lugina dhe në fusha të vendit, madje edhe jashtë territorit të Shqipërisë dhe vendosja e tyre atje ku kishte toka të lira dhe të punueshme, ata ranë në konflikte me feudalët e vendit, sepse malësorët u shkaktonin dëme atyre. Konfliktet kishin edhe me fqinjët, sidomos me zhupanët serbë, të kthyer në feudalë.
“Kështu, derisa më parë, gjatë regjimit të bashkësive fshatare, fqinjësia shqiptare – sllave qe një simbiozë paqësore, tani me shthurjen e bashkësive dhe me lidhjen e marrëdhënieve feudale, ajo u kthye në një burim grindjesh të vazhdueshme dhe konfliktesh të shpeshta për tokë dhe për të nënshtruar njëri – tjetrin. Si pasojë e këtyre grindjeve dhe konflikteve me shqiptarët, fshatarët sllavë filluan të shpërngulen edhe në viset kodrinore malore (14) “. “Në këto krahina sllave, hapën toka të reja me anën e prerjeve dhe të pastrimit të pyjeve. Më tepër se kudo, ky depërtim duhet të këtë ndodhur në krahinat e Shqipërisë së jugut. Këtë e tregojnë emrat me rrënjën sllave “treb” d.m.th. “rrah pylli”, që mbajnë disa fshatra malore si Trebickë, Trebeshinë, Trebisht, Tërbaç, etj (15). Një depërtim i tillë nga territoret e Maqedonisë ( Dihet se shteti i Maqedonisë kishte lulëzuar në shekullin IV para erës sonë, në kohën e Filipi II. Popullata e këtij shteti të ri përbëhej nga fise ilire, thrake dhe nga disa fise të afërta me grekët, por me dyndjen e popujve sllavë, kjo popullatë ilire-thrakase-greke asimilohej, ashtu siç u asimilua edhe populli bullgar). Kështu kishte ndodhur edhe në viset e Gorës së sotme. Fshatarët maqedonas tani të sllavizuar, që ishin vendosur këtu për shkak të pozitës gjeografike të kësaj ane, këtë krahinë e kishin emërtuar: Gorë, që në sllavisht do të thotë: “mal”, “malësi”, kurse banorët quheshin dhe quhen goranë që do të thotë: malësorë. Ky emërtim më vonë u përhap edhe në Opojë e më gjerë , që përdorët edhe sot e kësaj ditë.
STRATORE NJË TOPONIM BIZANTIN
Hapësira e quajtur “Stratore”, që shtrihet në mes të fshatit Glloboçicë dhe Vranishtë. Sipas gojëdhënave që janë ruajtur në popull brez pas brezi, janë mbledhur fshatarët për të luftëtar kundër armiqve , kur u bë një organizim i ri administrativ, i njohur me emrin sistemi i themave. Ku çdo themë kishte ushtarët e vet, që përbëhej në shumicën e saj prej stratiotësh, që ishin një shtresë e veçantë fshatarësh-ushtarë, të quajtur “stratiotë” nga greqishtja “ushtarë”. Ata, gjatë kohës së paqes punonin tokat e tyre, kurse gjatë periudhës së luftës ishin të detyruar të shkonin në ushtri, që udhëhiqeshin nga strategu. Kështu, kjo fushë e ka marrë emrin nga stratiotët, që janë mbledhur për të shkuar në luftë. Pra, “stratoria” ka qenë vendtubimi i ushtarëve stratiotë.
Meqë Opoja dhe Gora është në kufi me Maqedoninë, ka qenë e mundur që kjo trevë të jetë përfshirë nën pushtetin bizantin të Themës maqedonase, dhe ka pasur një ushtri kufitare të ashtuquajtur “stratiot”. Po të shikohet me kujdes dhe të analizohet më vëmendje, do të shohim se edhe qendra administrative e komunë së Dragashit ka origjinë bizantine, nga perandori i fundit bizantin, Konstandin Dragash, i cili e kishte marrë këtë emër nga nëna e tij, Helena nga dinastia serbe e dragashëve të Maqedonisë Lindore.[55] Ngase ka qenë e mundur që vetë Konstandin Dragashi të këtë dalë këtu dhe t’iu këtë dhënë tokë strategut të kësaj treve, dhe për nder të tij, e ka marrë edhe emrin hapësira nga fshati Mlike deri te Dragashi i sotëm, ish-Krahkoshat e atëhershme. Këtë e dëshmon edhe Defteri i Sanxhakut të Prizrenit i vitit 1530, nr. 168, ku vendbanimi shumë i madh Drgo(i)shtina është regjistruar, që i ka takuar timarit të Ajas pashës, në kundër të Gorës dhe Opojës.[56] Se territoret e Opojës dhe Gorës ishin nën sundimin bizantin dëshmojnë edhe zbatimi i ligjit agrar bizantin në këtë treve që janë ruajtura deri në ditët tona, si p.sh. sipas nenit 61 të ligjit agrar, pas mbledhjes së drithërave, secili kishte të drejtë të kulloste bagëtinë, të mbledhtë bar e kashtë në arën e tjetrit. Toka mund t’i përkiste njërit, kurse drurët e rritur në atë tokë mund t’i përkisnin një tjetri. [57] Këto ligje ende zbatohen në krahinën e Opojës, p.sh. në fshatin Bellobard, ara është pronë e Ethem Qafleshit, kurse drurët e dardhave i takojnë Sami Rizës. Edhe disa nene të këtij ligji ( nomos georgikos) akoma gjejnë zbatushmeri në këto dy treve të komunës së Dragashit. Pra, kur tokat shqiptare dhe maqedonase bien nën pushtetin turk, themat e dikurshme bizantine ishin shndërruar në timare turke.
NË GËRMADHAT E KISHAVE U NGRITËN XHAMI
Mbishkrimi i gjetur në xhaminë e Mlikut, që është objekti më i vjetër i këtij besimi në Kosovë dhe në Shqipëri, tregon se misionarët e përhapjes së myslimanizmit në Gorë kanë ardhur në vitin 1353, shumë më herët, se koha kur në Gorë dhe në Opojë është përhapur besimi mysliman.[58] Myslimanizimi i plotë në Gorë është bërë në gjysmën e dytë të shekullit XIX.
Por ky konstatim zor së është i qëndrueshëm, edhe pse sot, shihet një rimëkëmbje e kulturës dhe e artit, pa të cilat shpirti i kombit fillon të zhduket. Shteti ecën në këtë fushë ende i pasigurt me dorë të dredhur. Zhvillimin e kulturës, arteve dhe trashëgimisë kulturore ia besoj më tepër iniciativës private. Disa monumente kulturore, që kanë mbetur akoma pa ndonjë ndriçim adekuat historik, që duhet t’i studion shkenca në bazë të argumenteve dhe fakteve historike, në shoqëri përhapen shpeshherë opinione të gabuara. Realiteti jetësor sot në Kosovë, është utilitar ngase disa persona që vetën e quajnë “shkencëtarë” të pagabueshëm , atë që e shkruajnë dhe e thonë për opinion, nuk kanë dëshirë që dikush ta pasurojë dhe përmbush me fakte dhe argumente, ngase argumenti i vetëm duhet të jetë vetëm ajo që e thonë ata. Dhe kur një mendim shkencor për një çështje është parcial, nuk mund të japë portretin kompleks të së vërtetës historike, por vetëm për të treguar atë që dëshirohet në një moment të caktuar. Për shumë monumente kulturore që duhet t’i studion shkenca, në shoqëri përhapen shpeshherë opinione të gabuara, ngase kështu kanë shkruar ose thënë njeriu që ka pak shkollë. Edhe për xhaminë e fshatit Mlikë të komunës së Dragashit, disa individë të prirë për të shtrembëruar faktet për interesa të ndryshme edhe mbishkrimin e shkruar në xhaminë e këtij fshati të Gorës, janë munduar ta shtrembërojnë me qëllim që të tregojnë, se islamizmi është përhapur para depërtimit të turqve në Ballkan, i cili mbishkrim sipas përkthimit që është bërë nga Nehat Krasniqi, ekspert i gjuhës osmane, shkruan: “Këtë xhami të nderuar e ka rinovuar , me pasuri të fituar në mënyrë të lejueshme (hallall) , Ahmed Aga, Zoti e mëshiroftë , në vitin 1238 H/ 1822/ .
Fillimisht ( një fjalë e palexueshme që ka të ngjarë të jetë : ishte kishë në vitin 688 H /1289/”.
Kështu deshifrimi shkencor dhe pa anime dhe shtrembërime e tregon qartë të vërtetën e këtij mbishkrimi.
PËRFUNDIME
Në bazë të të gjitha këtyre, vihet në përfundim, se Opoja që nga antikiteti, në vazhdimësi e deri me sot, ka qenë e banuar. Në trevat e saj, janë zhvilluar ngjarje të rëndësishëm shoqërore historike, duke filluar që nga koha ilirike e deri në kohën bashkëkohore. Toponimet, besimi pagan dhe përhapja e besimit të krishterë, të cilën e dëshmojnë rrënojat e shumë kishave dhe atij islam, janë dëshmi më të mira, se këto troje kanë qenë të banuara në vazhdimësi nga banorët autoktonë. Ndërkaq, treva ka qenë një vend strategjik, ku përmes rrugëve janë gërshetuar shumë ngjarje historike, që kanë lidhur Maqedoninë me Shqipërinë Veriore. Por, një ndriçim më i drejtë do të ndodhte me hulumtime shkencore, duke bërë gërmime arkeologjike në varrezat e sheshta të Gostilit, në dy tumat e Zinovës dhe në gjurmimin sistematik arkeologjik të rrënojave të “Hisrait”, si një lokalitet i lashtë. Gjykuar nga trashësia e mureve, nuk vihet në dyshim, së është vendbanim i lashtë ilir, e cila përmes Gabullesë, që është një murim i ruajtur mirë, është një shenjë se rrezikohet, prandaj edhe duhet mbrojtur. Pastaj edhe antropologët duhet ta thonë fjalën e tyre për “Varrin e madh të gjermanit”, në fshatin Zgatar të Opojës.
Gora është krahinë gjeografike dhe etnografike malore e Sharrit midis Maqedonisë, Opojës dhe Lumës. Për origjinën e tyre ka shumë mendime dhe hipoteza, por më e pranueshmja është se kanë origjinë nga Maqedonia.
Goranët dallohen me një etnografi specifike. Ata kanë ruajtur shumë zakone e tradita, të cilat nuk dallohen shumë nga ato të fqinjëve lumjanë dhe opojarë, qoftë për ta fshehur identitetin e tyre ose për shkak të kushteve atmosferike që mbretërojnë në bjeshkët më lartësi të mëdha mbidetare të kësaj komune.
Hapësira e Opojës së antike, në shekullin XIII popullohet me banorë të rinj, të shpërngulur nga viset maqedone.
Argumentet shkencore tregojnë së goranët janë një enklavë me popullsi sllave (bullgare-maqedonase) të ardhur dhe e ngulitur në hapësirën etnike shqiptare, një simbiozë mbi një shtresim shqiptar, me një thithje të vogël nga elementi vlleh, por që ka ruajtur tiparet e origjinës. Edhe gjuha gorane është një gjuhë sllavofone e përafërt me ato bullgare e maqedonase, me ndikime të pakta të shqipes dhe të turqishtes, por e konservuar dhe e ruajtur mirë në hapësirën ku sot jetojnë goranët – torbeshët. Por edhe për Gorën dhe goranët do të duhej një qasje shkencore, ku do të flasin argumentet në vend të hipotezave.
BURIMET DHE LITERATURA
1. Blerim Çela, Shqiptarët ndër shekuj, Tiranë, 1988.
2. Enver Batiu, Opoja trevë e lashtë shqiptare, Pena, nr. 1, dhjetor 1995.
3. Enver Batiu, Zinova dëshmi e lashtësisë sonë, www.opoja.com
4. Esat Haskuka, Historijsko – geografska analiza urbanih funkcija
Prizren,Prizren, 1985.
5. Grup autoresh, Historia e popullit shqiptar, për shkollat e mesme
,Prishtinë, 1996.
6. Grup autorësh, Ilirët dhe Iliria; të autorë antikë,Prishtinë, 1979.
7. Hajriz Meleqi, Opoja dhe Gora, Dragash, 1994.
8. Halil Inalxhik, Perandoria osmane 1300-1600, Shkup, 1995.
9. Jovan Cvijiq, Osnove za geografiju i geologiju Makedonije i Stare
Serbije, Beograd,1911.
-
Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës-Sharri (Dragashi), Prishtinë, 2006.
11. Komisioni Qendror për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës,
12. Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, Prishtinë, 005.
13. Mark Tirtja, Elemente të kultëve ilire të shqiptarët (kulti i diellit),
etnografia shqiptare, vëll. V. Tiranë, 1974.
14. Ministria për ekonomi dhe financa, Komuna e Dragashit, Agjenda
zhvillimore (2004-2005), Mars, 2004.
15. Mark Krasniqi, Krahinat etnografike në kosvë, Konferenca
Kombëtare e Studimeve Etnografike ( 28-30 qershor 1976), Tiranë, 1977.
16. M. Llutovac, Gora i opolje, naselje i poreklo, knjiga 35, Beograd, 1955.
17. Nazif Dokle, Jehona homerike në Kukës,Tiranë,1999.
18. Nexhat Ibrahimi, Islami dhe myslimanët në tokat shqiptare dhe në
Ballkanin mesjetar, Prishtinë, 2003.
19. Nexhat Ibrahimi, Sari Salltuku dhe roliu i tij në përhapjen e islamit
në trojet ilir-shqiptare e ballkanike para shekullit XIV, Edukata
islame nr. 66, Prishtinë, 2002.
20. Petrika Thëngjilli dhe Selim Daci, Historia e Perandorisë Bizantine (395-1453),
Prishtinë,2002
21. R. Katiçiq , Antroponimia ilire dhe etnogjeneza e shqiptaréve”,
Prishtinë, 1986.
22. Trego Halim Shemsidini, me 10.qershor 2001.
23. Tregoi më 17 mars 1995, Samidin Emini.
24. Selim Islami dhe Kristo Frashëri, Historia e popullit shqiptar
,Prishtinë, 1979.
25. Selami Pulaha , “Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV - XVI,
Tiranë, 1984.
26. Selami Pulaha, Krahinat e Sanxhakut të Dukagjinit, “Studime historike”, nr. 3, Tiranë,
1973.
27. Ukë Xhemaj, Shtresime kulturore, Prishtinë, 2005.
28. Zef Mirdita, Ilirët nga aspekti i jetës së përditshme, Seminari i
kulturës Shqiptare për të Huaj, nr. 2, Prishtinë 1976.
Literatura e shfrytëzuar nga institucionet:
· Drejtorin për Kadastër dhe Gjeodezi në KK Dragash
Me gjerësisht për hulumtimet gjeologjike, petrologjike, bistratigrafike,
tektonike, hidrologjike etj. shih: SFRJ, Osnovna geološka karta 1:100.000, K.
34-66, Prizren, Savezni Geološki Zavod, Beograd, 1982.
· Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Shqiptarët dhe trojet e tyre, Tiranë,1982
Gazetat dhe revistat:
-
Bujku, Prishtinë,1996.
-
Revista,Glas Gore, nr. 6,Dragash, 1995.
-
Revista, Glas Gore, nr.7, Dragash, 1995
-
Revista kulturore, Sharri, Dragash.
-
Revista periodike kulture, Dy Drina”, Kukës.1999.
-
Revista “Sharri”, Dragash, 1992.
-
Gazeta “Bujku”, Prishtinë, 1996.
Defterët:
-
Basvekalet arşivi (BVA), defteri mufassal liva-i Dukagin, tapu defterleri nr.499
· Tapu ve kadastro umum mudurlugunun arsşivi (T.K.A.), defteri mufassal liva-i Dukagin,
defter nr.63.
[1] Hajriz Meleqi, Opoja dhe Gora, Dragash, 1994, f. 15.
[2] Shënimet janë marrë në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi në KK Dragash
[3] Ministria për ekonomi dhe financa, Komuna e Dragashit, Agjenda zhvillimore (2004-2005), mars, 2004.
[4] Me gjerësisht për hulumtimet gjeologjike, petrologjike, bistratigrafike, tektonike, hidrologjike etj. shih: SFRJ, Osnovna geološka karta 1:100.000, K. 34-66, Prizren, Savezni Geološki Zavod, Beograd, 1982.
[5] Grup autorësh, Ilirët dhe Iliria; të autorë antikë,Prishtinë, 1979, f. 67.
[6] Po aty, f.125.
[7] Nazif Dokle, Jehona homerike në Kukës,Tiranë,1999, f.53.
[7] Nazif Dokle, Jehona homerike në Kukës, Tiranë,1999, f.52.
8 Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës: Sharri (Dragashi), Prishtinë, 2006, f. 146.
[9] Tregoi Halim Shemsidini, me 10.qershor 2001.
[10] Enver Batiu, Opoja trevë e lashtë shqiptare, Pena, nr. 1, dhjetor 1995.
[11] Jovan Cvijiq, Osnove za geografiju i geologiju Makedonje i Stare Serbije, Beograd, 1911 III,
st.1143-1144.
[12] Hajriz Meleqi, Opoja dhe Gora, Dragash, 1994, f. 18.
[13] M. Llutovac, Gora i Opolje, naselje i poreklo, knjiga 35, Beograd, 19955, st.6.
[14] R. Katiqiq , Antroponimia ilire dhe etnogjeneza e shqiptaréve, Prishtinë, 1986, f. 22.
[15] Selim Islami dhe Kristo Frashëri, Historia e popullit shqiptar ,Prishtinë, 1979 vëll. I, f.111.
[16] Po aty, f.111-112.
[17] Grup autoresh, Historia e popullit shqiptar, për shkollat e mesme ,(Prishtinë, 1996) , f.31.
[18] Muharrem Qafleshi, Etimologjia e toponimeve Opojë, Gorë, Bellobrad dhe e etnonimit Torbesh, Revista periodike kulturore, Dy Drina”, nr.3, Kukës, 1999, f.103.
[19] Komisioni Qendror për Standardizimin e emërvendeve të Kosovës, Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, Prishtinë, 2005, f.67.
[20] Milosav Lutovac, Gora i Opolje, Antropogeografska ispitivanja, Bograd, 1955, f.234.
[21] Po aty, f.193.
[22] Esat Haskuka, Historijsko – geografska analiza urbanih funkcija Prizrena, Prizren, 1985, f.88.
[23] Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës: Sharri (Dragashi), Prishtinë, 2006, f. 21.
[24] Enver Batiu, Zinova dëshmi e lashtësisë sonë, http://opoja.com/Zinova.htm.
[25] Mark Tirtja, Elemente të kultëve ilire të shqiptarët (kulti i diellit), etnografia shqiptare, vëll. V. Tiranë, 1974, f.31.
[26] Ukë Xhemaj, Shtresime kulturore, Prishtinë, 2005, f.79.
[27] Mark Krasniqi, Krahinat etnografike në Kosovë, Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike (28-30 qershor 1976), Tiranë, 1977, f.120.
[28] Zef Mirdita, Ilirët nga aspekti i jetës së përditshme, Seminari i kulturës Shqiptare për të huaj, nr. 2, Prishtinë 1976, f. 77.
[29] Nexhat Ibrahimi, Islami dhe myslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar, Prishtinë, 2003, fq.24.
[30] Halil Inalxhik, Perandoria osmane, 1300-1600, Shkup, 1995, f.269, 270.
[31] Nexhat Ibrahimi, Sari Salltuku dhe roli i tij në përhapjen e islamit në trojet iliro-shqiptare e ballkanike para shekullit XIV, Edukata Islame nr. 66, Prishtinë, 2002, f. 115-131.
[32] Selami Pulaha , Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV – XVI, Tiranë, 1984.
[33] Selim Islami dhe Kristo Frashëri, Historia e popullit shqiptar, Prishtinë , 1979, vëll.I, f. 342.
[34] Po aty.
[35] Basvekalet arşivi (BVA), defteri mufassal liva-i Dukagin, tapu defterleri nr.499, f.248-262.
[36] Po aty, Tapu ve kadastro umum mudurlugunun arşivi (T.K.A.), defteri mufassal liva-i Dukagin,
Defter, nr.63.
[37] Akademia e Shekencave të Shqipërisë, Shqiptarët dhe trojet e tyre, Tiranë,1982, f.412.
[38] Selami Pulaha, Krahinat e sanxhakut të Dukagjinit gjatë shek XVI, Studime historike nr.3,
1973, f.9-10, 25.
[39] Akademia e Shekencave të Shqipërisë, Shqiptarët dhe trojet e tyre, Tiranë,1982, f.412.
[40] Po aty, f.413.
[41] Grup autoresh, Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme ,Prishtinë 1996 , f. 112.
[42] Tregoi më 17 mars 1995, Samidin Emini.
[43] Hajriz Meleqi, Kush janë goranët, dorëshkrim.
[44] Nazif Dokle, Jehona homerike në Kukës, Tiranë , 1999, f.50.
[45] H. Meleqi, Opoja dhe Gora, vështrim gjeografik, Sharr, 1994.
[46]. Xhevat Hasani,Opojanë e goranë si dy qershi lidh në një rrfanë,Dragash, 1992, revista periodike kulturore “Sharri”.
[47] Bedri Halimi, Opojanë dhe goranë në simbiozë apo antibiozë, gazeta ”Bujku”, 11 nëntor 1996
[48] Selami Pulaha, Krahinat e Sanxhakut të Dukagjinit, “Studime historike”, nr. 3, Tiranë, 1973, f.38-39
[49] Nazif Dokle , Glas Gore, nr.7, Dragash, 1995, fq.4.
[50] Petrika Thëngjilli dhe Selim Daci, Historia e Perandorisë Bizantine (395-1453), Prishtinë,2002, fq. 179.
[51] Nazif Dokle , Glas Gore, nr.7, Dragash, 1995, fq.4.
[52] Nazif Dokle , Glas Gore, nr.6, Dragash, 1995, fq.3.
[53] Muharrem Qafleshi, Etimologjia e toponimeve Opojë, Gorë, Bellobrad dhe e etnonimit Torbesh,
Revista periodike kulturore, “Dy Drina”, nr.3, Kukës, 1999, fq.104.
[54] Po aty.
[55] Georg Ostrogorsky, Historia e Perandorisë Bizantine, Tiranë, 2007, f. 447.
[56] Jusuf Osamni, Vendbanimet e Kosovës - Sharri, Prishtinë, 2006, f. 139.
[57] Petrika Thëngjilli dhe Selim Daci, Historia e perandorisë Biznatine (395-1453), Prishtinë, 2002,
f.12.
[58] Hajriz Meleqi, Gora dhe goarnët, dorëskrim.